Me afrimin e muajve të ftohtë, shumë njerëz i drejtohen suplementeve të vitaminës D për të mbështetur shëndetin e kockave dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Megjithatë, një studim i ri sugjeron se dy format më të përdorura të kësaj vitamine, D2 dhe D3, mund të kenë efekte të ndryshme në organizëm.
Studiuesit nga Universiteti i Surrey-t, Qendra John Innes dhe Instituti Quadram i Bioshkencës analizuan të dhënat nga disa prova klinike dhe zbuluan se marrja e vitaminës D2 mund të shoqërohet me ulje të niveleve të vitaminës D3 në trup.

Kjo e fundit prodhohet natyrshëm nga organizmi nën ndikimin e rrezeve të diellit dhe duket se është më efektive në rritjen e nivelit të përgjithshëm të vitaminës D.
Sipas autores kryesore të studimit, Emily Brown, ky efekt i vitaminës D2 nuk ishte vlerësuar sa duhet më parë.
Gjetjet sugjerojnë se suplementet me vitaminë D3 mund të jenë më të dobishme për shumë njerëz, megjithëse zgjedhja duhet të marrë parasysh nevojat individuale.
Dallimet mes dy formave mund të shtrihen edhe te imuniteti. Një studim i mëparshëm nga i njëjti grup kërkimor sugjeroi se vitamina D3 mund të aktivizojë mekanizma të rëndësishëm të mbrojtjes imunitare kundër viruseve dhe baktereve, të cilët nuk u vunë re në të njëjtën mënyrë me vitaminën D2.
Gjatë periudhës nga tetori deri në mars, kur ekspozimi ndaj diellit shpesh nuk mjafton për prodhimin e vitaminës D, suplementet mund të jenë të rëndësishme për personat që kanë nevojë për to.
Në etiketat e produkteve, vitamina D3 mund të shënohet si kolekalciferol, ndërsa D2 si ergokalciferol. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar më qartë ndryshimet mes tyre.
Rekomandimet për përdorimin e suplementeve varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe nevojat individuale. Personat që marrin vitaminë D me recetë nuk duhet ta ndryshojnë trajtimin pa u konsultuar me mjekun ose farmacistin. /Telegrafi/





