Të paktën 19 persona janë lënduar nga përplasja e një treni të mallrave me një autobus, që ndodhi në veri të Francës.
Aksidenti ndodhi pranë qytetit Coquelles, në afërsi të Eurotunelit, ndërsa informacioni u konfirmua nga zyra e prefektit lokal, raporton Reuters.
Sipas njoftimit të prefekturës, asnjëri nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetën. Është konfirmuar se në mesin e të lënduarve është edhe shoferi i autobusit, shkruan bbc.
Autoritetet ende nuk kanë publikuar detaje për identitetin e personave të tjerë të lënduar apo për natyrën e saktë të lëndimeve të tyre.
Përplasja ndodhi jo larg hyrjes së tunelit të mallrave, i cili lidh Francën me Britaninë e Madhe. Në vendin e aksidentit u dërguan me shpejtësi autoambulancat, policia dhe një helikopter.
Rrethanat që çuan në përplasjen e trenit me autobusin janë ende duke u hetuar. Deri më tani, nuk ka informacione zyrtare për shkakun e aksidentit. /Telegrafi/






