Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” tashmë kanë nisur, ndërsa puna për përzgjedhjen e banorëve është në zhvillim e sipër.
Moderatori Alaudin Hamiti ka dhënë sinjalet e para se ky edicion mund të sjellë një kast interesant, duke lënë të kuptohet se emrat që janë shqyrtuar deri më tani premtojnë shumë.
Megjithatë, tashmë është zbuluar edhe detaji i parë konkret për një prej profileve që pritet të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme në Kosovë.
I pyetur nga një ndjekës nëse mund të zbulonte vetëm një banor apo karakter që do të jetë pjesë e këtij edicioni, Alaudini është përgjigjur shkurt: “Në rregull… zhigolo”.
Pra, pa zbuluar identitetin e tij, moderatori ka konfirmuar se një prej profileve të “BBVK 5” do të jetë një zhigolo, duke shtuar edhe më shumë kureshtjen për kastin e këtij sezoni.
“Big Brother VIP Kosova” ndër vite është karakterizuar nga përzgjedhje të guximshme të personazheve, duke sjellë në ekran figura me histori dhe profesione të ndryshme.
Formati ka përfshirë edhe personazhe nga komuniteti LGBT+, ndërsa në edicionin e dytë pjesë e kastit ishte edhe Alby, e cila para hyrjes në reality show ishte bërë e njohur për punën e saj si aktore në industrinë e filmave për të rritur.
Këto përzgjedhje kanë sjellë në televizionin kosovar profile që më parë shfaqeshin më rrallë në ekran, duke nxitur diskutime dhe duke prekur edhe tema që konsideroheshin tabu.
Sa i përket “BBVK 5”, ende nuk është bërë e ditur një datë konkrete e nisjes, por Alaudin Hamiti ka konfirmuar se edicioni i ri pritet të startojë gjatë vjeshtës.
Mister mbetet edhe studioja e programit. I pyetur nëse këtë sezon do të ketë ndryshime në hapësirën ku zhvillohen netët Prime, moderatori ka zgjedhur të mos zbulojë detaje, duke lënë të hapur mundësinë për surpriza.
Kështu, teksa kastingu vazhdon, “BBVK 5” tashmë ka edhe profilin e parë të konfirmuar: një zhigolo.
Identiteti i tij, megjithatë, mbetet ende mister. /Telegrafi/





