Ylli i madh i Barcelonës humb Botërorin, vjen reagimi emocionues pas operimit

Sport

Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka reaguar me një mesazh emocional pasi humbi mundësinë për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës, shkaku i lëndimit të rëndë që pësoi ditët e fundit. 23-vjeçari iu nënshtrua një operimi pas dëmtimit në këmbën e djathtë, të cilin e pësoi gjatë fitores së fundit të Barcelonës […]

Madhësia e shkronjave

Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka reaguar me një mesazh emocional pasi humbi mundësinë për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës, shkaku i lëndimit të rëndë që pësoi ditët e fundit.

23-vjeçari iu nënshtrua një operimi pas dëmtimit në këmbën e djathtë, të cilin e pësoi gjatë fitores së fundit të Barcelonës ndaj Real Betis.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, talenti spanjoll ka thyer heshtjen përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

“Operacioni shkoi shumë mirë dhe tani po mendoj vetëm të rikthehem më i fortë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Jeta dhe futbolli ndonjëherë janë të padrejta, por duhet ta pranosh sepse edhe kjo është pjesë e rrugëtimit”, ka shkruar Lopez.

Lajmi për mungesën e tij në Botëror konsiderohet një goditje e madhe jo vetëm për lojtarin, por edhe për përfaqësuesen e Spanjës, pasi Fermin ishte një nga mesfushorët më në formë të sezonit.

Në edicionin aktual, ai ka qenë ndër lojtarët kyç të Barcelonës, duke zhvilluar 48 ndeshje në të gjitha garat, ku ka realizuar 13 gola dhe ka kontribuar me 17 asistime.

Performancat e tij kishin bërë që ai të konsiderohej si një nga emrat më të sigurt për listën e Spanjës në turneun më të madh të futbollit.

Megjithatë, mesfushori spanjoll tashmë e ka kthyer fokusin te rikuperimi, me synimin që të rikthehet sa më shpejt në fushë dhe të vazhdojë ngritjen e tij të madhe në futbollin evropian. /Telegrafi/