Florian Wirtz u transferua verën e kaluar nga Bayer Leverkusen te Liverpooli për 125 milionë euro, por mesfushori gjerman ende nuk ka arritur të tregojë në “Anfield” formën që e bëri një nga futbollistët më të kërkuar në Evropë.
Wirtz shkëlqeu te Bayer Leverkuseni, me të cilin fitoi titullin e kampionit të Gjermanisë dhe u shndërrua në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së drejtuar atëherë nga Xabi Alonso. Para transferimit të tij, për të interesoheshin disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munichun dhe Real Madridin.
Në fund, Wirtz zgjodhi Liverpoolin, i cili pagoi 125 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, aventura e tij në “Anfield” nuk ka shkuar sipas pritshmërive.
Liverpooli gjen alternativën e Wirtz, interesohet për ish-yllin e Bayern Munichut telegrafi.com
Për situatën e Wirtzit ka folur edhe legjenda e futbollit gjerman, Oliver Bierhoff, i cili ka zbuluar klubin ku do të dëshironte ta shihte mesfushorin në të ardhmen.
Ish-sulmuesi i Milanit mendon se Barcelona do të ishte destinacioni ideal për Wirtzin, sidomos për shkak të stilit të lojës që aplikon trajneri Hansi Flick.
“Do të doja ta shihja Wirtzin te Barcelona. Jam i sigurt se ai do të ishte fantastik nën urdhrat e Flickut në atë klub. Do të kishte shumë hapësirë për të luajtur, ndërsa do të kishte edhe bashkëlojtarë fantastikë. Shpresoj që kjo të ndodhë një ditë”, ka thënë Bierhoff.
Wirtz ka kontratë me Liverpoolin edhe për katër vite të tjera, por paraqitjet e tij kanë bërë që tashmë të flitet edhe për një largim të mundshëm. Sipas raportimit të mediave, vlera e tij në treg ka rënë në rreth 80 milionë euro, pas një sezoni ku nuk arriti të justifikojë pritshmëritë e mëdha.
Në sezonin aktual, Wirtz ka regjistruar gjashtë paraqitje për Liverpoolin, por ende nuk ka shënuar gol.
Megjithatë, një transferim te Barcelona duket i vështirë për momentin, pasi katalunasit kanë disa alternativa të rëndësishme në pozicionet ku luan gjermani.
Në futboll, megjithatë, asgjë nuk mund të përjashtohet, dhe mbetet të shihet nëse Wirtz do të arrijë ta ndryshojë situatën te Liverpooli apo do të kërkojë një sfidë të re. /Telegrafi/






