“Një ëndërr, një flamur, një histori” – Hysa nxehë meçin ndaj kampionit të botës Kabayel

Sport

Nelson Hysa është vetëm një hap larg sfidës më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të përballet me gjermanin Agit Kabayel, kampionin e botës në peshat e rënda në versionin WBC, më 28 nëntor në Düsseldorf, në një duel ku do të vihet në lojë titulli botëror. Hysa, i cili ka një […]

Madhësia e shkronjave

Nelson Hysa është vetëm një hap larg sfidës më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të përballet me gjermanin Agit Kabayel, kampionin e botës në peshat e rënda në versionin WBC, më 28 nëntor në Düsseldorf, në një duel ku do të vihet në lojë titulli botëror.

Hysa, i cili ka një rekord perfekt prej 25 fitoreve në 25 meçe, 23 prej tyre me nokaut, do të tentojë t’ia rrëmbejë titullin Kabayelit, i cili gjithashtu nuk njeh humbje në karrierën profesionale. Gjermani ka 27 fitore, 19 prej tyre me nokaut, dhe kjo do të jetë mbrojtja e parë e titullit të tij WBC.

Në prag të përballjes së madhe, Hysa ka shprehur hapur ëndrrën e tij për të shkruar historinë dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë në skenën më të madhe të boksit.

“Dëshira ma e madhe e jemja gjatë gjithë karrierës teme ka qenë me pa flamurin e Shqipërisë në sytë e gjithë botës. Falë Zotit dhe ekipit tim, sot po e përfaqësoj Shqipërinë aty ku legjendat kanë lanë emrin e tyre në përjetësi – në luftën për titullin e Kampionit të Botës”, ka shkruar Hysa.

“Po punojmë për ta sjellë titullin në shtëpi”

Boksieri shqiptar ka thënë se së bashku me ekipin e tij po punon çdo ditë për ta realizuar ëndrrën e madhe dhe për ta ngritur flamurin shqiptar në majën e botës së boksit.

“Po punojmë fort çdo ditë për me e sjellë titullin në shtëpi dhe me e ngrit flamurin Shqiptar për herë të parë në histori në majën e botës së boksit. One dream. One flag. One history”, ka shkruar ai.

Përballë tij do të jetë një kundërshtar shumë i fortë. Agit Kabayel është bërë kampion i plotë i WBC-së në qershor të këtij viti, pasi titulli mbeti vakant, ndërsa më herët kishte fituar titullin e përkohshëm pas fitores ndaj Zhilei Zhang. Ai vjen në këtë përballje pas një serie fitoresh ndaj emrave të njohur të peshave të rënda, përfshirë Frank Sanchez, Arslanbek Makhmudov dhe Damian Knyba.

Dueli Hysa–Kabayel do të zhvillohet më 28 nëntor, pikërisht në Ditën e Flamurit shqiptar, duke i dhënë përballjes edhe një simbolikë të veçantë. Hysa do të kërkojë fitoren më të madhe të karrierës dhe titullin e botës për Shqipërinë. /Telegrafi/