Tre vjet nga sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e Izraelit.
Në orën 06:29 të mëngjesit – në të njëjtën kohë kur nisi sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 – izraelitët në mbarë vendin qëndruan në heshtje.
Në Kibbutzin Kfar Aza, flamuri u ul në gjysmështizë, ndërsa banorët ndezën qirinj në kujtim të të vrarëve.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog dhe bashkëshortja e tij po ashtu ndezën qirinj përkujtimorë.
Në një plazh në Tel Aviv u vendosën rreshta figurash që përfaqësojnë viktimat e sulmit, së bashku me shifrat tragjike: 1,163 të vrarë dhe 251 persona të marrë peng.
Në qendër të qytetit, një fontanë u ngjyros me të kuqe dhe u rrethua me fotografi të personave të vrarë dhe të rrëmbyer.
Ceremoni të veçanta përkujtimore po mbahen edhe në vendin ku u zhvillua festivali Nova, pranë Re’im, ku u vranë qindra njerëz. /Telegrafi/






