Një aeroplan ushtarak është rrëzuar sot në territorin e bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në perëndim të Gjermanisë. Sipas informacioneve të para, një person është lënduar.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e Eifelit, në landin Renania-Palatinat. Autoritetet lokale të distriktit Bitburg-Prüm konfirmuan se në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e mbrojtjes civile.
“Për momentin nuk mund të japim asnjë informacion rreth rrjedhës së aksidentit apo detajeve të tjera të ngjarjes”, njoftuan autoritetet lokale, shkruajnë mediat.
Forcat Ajrore të SHBA-së ende nuk kanë publikuar informacione shtesë për aksidentin. Nuk dihet se për çfarë lloji të aeroplanit ushtarak bëhet fjalë dhe as çfarë e shkaktoi rrëzimin.
Në bazën ajrore Spangdahlem është e stacionuar një skuadrilje me rreth 20 aeroplanë luftarakë F-16. Ajo merr pjesë në mbështetjen e operacioneve të Forcave Ajrore amerikane dhe NATO-s në mbarë botën dhe përbën një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve të bazës.
Në bazë punojnë rreth 5 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil, ndërsa aty jetojnë edhe familjet e tyre. Baza amerikane punëson gjithashtu rreth 700 deri në 800 shtetas gjermanë.
Në tetor të vitit 2019, një F-16 amerikan u rrëzua gjatë një fluturimi rutinë stërvitor në një pyll pranë Zemmer-Rodt, jo larg bazës. Piloti arriti të katapultohej dhe pësoi lëndime të lehta.
Forcat Ajrore amerikane janë të pranishme në Spangdahlem që nga mesi i viteve 1950. Së bashku me bazën Ramstein pranë Kaiserslauternit, Spangdahlem është një nga bazat më të rëndësishme ajrore ushtarake amerikane në Gjermani. /Telegrafi/






