Ushtari izraelit ka publikuar pamje nga Beit Hanoun në veri të Rripit të Gazës, duke treguar një qytet që është shkatërruar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve të vazhdueshme.
Në video dhe fotografi shihen lagje të tëra të rrafshuara, me ndërtesa të shembura, rrugë të bllokuara nga rrënojat dhe mungesë të plotë të infrastrukturës funksionale.
Sipas pamjeve të shpërndara, në Beit Hanoun nuk ka mbetur asnjë shtëpi e paprekur, ndërsa shumë prej ndërtesave janë shndërruar në grumbuj rrënojash.
Zona dikur e banuar nga dhjetëra mijëra njerëz duket tashmë e pabanueshme, me shenja të qarta të shkatërrimit të gjerë urban.
Qyteti, i cili ndodhet pranë kufirit me Izraelin dhe ka qenë shpesh në qendër të përleshjeve, ka pësuar dëme të rënda në infrastrukturë civile, përfshirë shtëpi, shkolla dhe objekte shërbimesh. Shumë banorë janë larguar ose janë zhvendosur me forcë për shkak të situatës së sigurisë.
Pamjet e tilla kanë nxitur reagime të shumta ndërkombëtare, duke theksuar shkallën e shkatërrimit dhe krizën humanitare që po vazhdon në zonë. /Telegrafi/






