Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar gjatë viteve të fundit dhe aktualisht mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, shkruan Telegrafi.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, teksa po përfundon mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it, Ulutash ka kujtuar tensionet dhe dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan.

“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikueshme kundër paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme”, ka thënë ai. Sipas komandantit të KFOR-it, përmirësimi i situatës bëri që NATO-ja ta ndërpriste në janar të këtij viti dislokimin e forcave rezervë.
Ai ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur një proces për optimizimin e pranisë së saj gjatë vitit të ardhshëm, me synimin që misioni të mbetet i përshtatshëm për detyrat dhe t’u përgjigjet zhvillimeve në fushën e sigurisë.
“Prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht që nga viti 1999 për të garantuar që misioni të mbetet i përgjegjshëm ndaj mjedisit të sigurisë në zhvillim”, ka deklaruar Ulutash.
Ai ka theksuar se prioriteti i tij gjatë mandatit ka qenë zbatimi i mandatit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ulutash ka shtuar se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes. Sipas tij, misioni vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të përgjegjësive të tyre përkatëse në fushën e sigurisë.





