U tha se do ta marrë drejtimin e Italisë, Guardiola më në fund thyen heshtjen

Sport

Pep Guardiola ka minimizuar spekulimet që e lidhin me kombëtaren e Italisë, duke insistuar se nuk ka plane të menjëhershme për t’u rikthyer në trajnim pas largimit nga Manchester City. Trajneri spanjoll shpjegoi se, pas gati dy dekadash në drejtimin e skuadrave, mendon se ka ardhur koha të largohet përkohësisht nga futbolli dhe të përqendrohet […]

Madhësia e shkronjave

Pep Guardiola ka minimizuar spekulimet që e lidhin me kombëtaren e Italisë, duke insistuar se nuk ka plane të menjëhershme për t’u rikthyer në trajnim pas largimit nga Manchester City.

Trajneri spanjoll shpjegoi se, pas gati dy dekadash në drejtimin e skuadrave, mendon se ka ardhur koha të largohet përkohësisht nga futbolli dhe të përqendrohet në aspekte të tjera të jetës së tij.

“Nuk ndiej se më mungon diçka nga ana mendore”, tha Guardiola, sipas deklaratave të publikuara nga IlNapolista.

“Fillova të stërvit në moshën 37-vjeçare dhe gjithçka në jetën time ka qenë e lidhur me futbollin. Tani dua të zbuloj jetën dhe të jem i lumtur duke bërë gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin”.

“E dua punën time, por vjen një moment kur ndien se ke nevojë për pushim. Ndoshta një ditë do të zgjohem dhe do të them: ‘Në rregull, dua të rikthehem si trajner.’ Kam nevojë të ndiej se më mungon kjo, dhe aktualisht nuk e ndiej”.

Guardiola shtoi se prioriteti i tij është të kalojë më shumë kohë me familjen, veçanërisht me fëmijët e tij dhe babain 95-vjeçar.

“Po përpiqem të kuptoj se si do të jetë jeta ime tani,” vazhdoi ai. “Vendosa të ndalem sepse dua të kujdesem më mirë për veten. Dua të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi dhe me babain tim, i cili është 95 vjeç dhe ende është këtu”.

“Tani jam 56 vjeç, nuk jam më i ri, ndaj edhe këndvështrimi yt ndryshon. Ende po përshtatem me këtë kapitull të ri, por gjithçka po shkon mire”.

Deklaratat e tij duket se e përjashtojnë Guardiolën nga gara për postin e trajnerit të kombëtares italiane në të ardhmen e afërt./Telegrafi/