Kurti pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së: Kjo është padrejtësi e papranueshme

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Kurti e ka cilësuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre si “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”. “Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kurti e ka cilësuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre si “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por sipas tij, kjo nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e qytetarëve.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, ka thënë ai.

Kurti ka kërkuar që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e apelit, duke theksuar se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka deklaruar kryeministri.

Në fund, Kurti ka shprehur mbështetjen e tij për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.

“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/