Cristian Chivu ka konfirmuar se sulmuesi Lautaro Martinez do të qëndrojë te Interi, duke i mbyllur kështu spekulimet për një transferim që e lidhte yllin e klubit me një largim drejt Barcelonës.
Pavarësisht raporteve të vazhdueshme që e lidhin sulmuesin argjentinas me Barcelonën, burimet zbulojnë se nuk po zhvillohen negociata të drejtpërdrejta midis dy klubeve.
Interi e konsideron kapitenin e tyre rreptësishtë të patransferueshëm dhe synon ta ndërtojë të ardhmen e tyre rreth tij.

Është vetë trajneri i Nerazzurrëve, Chivu, i cili ka konfirmuar qëndrimin e Lautaros te kampionët e Italisë.
“Gjithmonë ka histori në këtë kohë të vitit. Jemi të kënaqur që po flasin për lojtarët tanë, sepse kjo do të thotë se ata njihen si ndër më të mirët në botë”, u përgjigj fillimisht Chivu.
“Lautaro është kapiteni ynë, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, ishte në finale disa javë më parë. Ai është një lojtar i shkëlqyer, ne e mbajmë fort sepse ai përfaqëson atë që kemi qenë dhe atë që duam të jemi në të ardhmen.”
A janë Chivu dhe Interi plotësisht të sigurt se Lautaro Martinez nuk do të tundohet nga Barcelona?
“Nuk kam frikë nga asgjë. Lauti është kapiteni, ndoshta do të flitet shumë për të, por mendoj se do të qëndrojë për një kohë të gjatë sepse është një lojtar me të cilin duam të ndërtojmë për të ardhmen”.
“Gjithashtu e di që tregu i transferimeve mund të jetë paksa i çuditshëm, kështu që e vetmja përgjigje që mund të jap është se dua që ai të qëndrojë”, përfundoi trajneri i Interit.
Ndryshe, vetë sulmuesi argjentinas disa herë ka potencuar se dëshiron ta ndjek rrugën e kapitenit legjendar, Javier Zanetti, duke u bërë ikonë e klubit. /Telegrafi/





