Autoritetet në Rusi kanë lëshuar një fletëarrest kundër korrespondentit të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) për Ballkanin, Michael Martens.
Siç u bë e ditur të enjten në faqen e Ministrisë së Brendshme ruse, gazetari kërkohet sipas një neni të Kodit Penal.
Sipas burimeve të agjencisë ruse të lajmeve TASS, Martens akuzohet për “nxitje të urrejtjes”, një vepër që nëse dënohet në Rusi mund të çojë deri në gjashtë vjet burgim.
Shkak për këtë masë u bë një pyetje që Martens bëri më 8 gusht gjatë një konferencë shtypi në Beograd, ku morën pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gazetari e pyeti presidentin ukrainas se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën që të “vrasë më shumë rusë”, duke shtuar menjëherë: “ushtarë rusë, natyrisht”.
Kjo deklaratë nxiti reagime dhe polemika të shumta, veçanërisht në Rusi dhe Serbi, por edhe në qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë në Gjermani.
Më vonë, redaksia e “FAZ” sqaroi se pyetja ishte “formuluar në mënyrë të paqartë” dhe se nuk është politikë redaksionale e gazetës që “të vriten sa më shumë ushtarë rusë”.
Nga ana e tij, vetë Martens deklaroi në rrjetin social X se pyetja ishte e mirëmenduar.
Ai sqaroi se bëhej fjalë për një aludim ndaj një citati të ish-kryeministrit britanik Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Churchill i kishte dhënë udhëzim oficerit të tij të ndërlidhjes, Fitzroy Maclean, përpara takimit me udhëheqësin komunist jugosllav Josip Broz Tito, duke i thënë të tregonte se si mund t’i ndihmonin partizanët “për të vrarë akoma më shumë gjermanë”.
Krahas bërjes publike të fletëarrestit nga Rusia, Ambasada ruse në Berlin i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Berlinit, duke kërkuar një vlerësim juridik nëse formulimet e Martens përbëjnë vepër penale sipas ligjit gjerman, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndaj një populli tjetër apo thirrjen publike për kryerjen e veprave penale.
Prokuroria e Berlinit konfirmoi pranimin e shkresës dhe sqaroi se sipas ligjit është e detyruar të shqyrtojë nëse ekziston ndonjë dyshim fillestar, duke theksuar se kjo nuk do të thotë automatisht nisje e hetimit dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.
Asociacioni i Gazetarëve Gjermanë (DJV) ka protestuar ashpër ndaj veprimeve të Moskës. Kryetari i Asociacionit, Mika Beuster, deklaroi se drejtësia, përfshirë atë ruse, nuk ka asnjë punë me pyetjet që gazetarët bëjnë në një konferencë shtypi.
Gazetarit Martens nuk i kanoset asnjë ekstradim nga Gjermania drejt Rusisë. Megjithatë, situata mund të bëhet më e rrezikshme për të gjatë punës në rajonin e Ballkanit ku ai vepron si korrespondent, e veçanërisht në Serbi, e cila mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.






