Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të rivalit të përbetuar, Real Madridit, duke e kritikuar për qëndrimet e tij ndaj klubeve dhe organizatave të ndryshme të futbollit evropian.
Laporta ka deklaruar se madrilenët po përpiqen të largojnë vëmendjen nga momenti i mirë që po kalon Barcelona, duke vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si klubi mbretëror po e menaxhon marrëdhënien me institucionet sportive.
“Real Madridi flet për gjëra të tjera për të larguar vëmendjen. Barcelona po kalon një moment të mrekullueshëm. Po e shijojmë futbollin, po jetojmë një periudhë shumë të bukur në historinë tonë dhe kemi njohje ndërkombëtare”, ka deklaruar Laporta.
“Skuadra jonë ka nëntë kampionë të botës dhe një ekip që admirohet, me lojtarë që janë pikë referimi në pozita të ndryshme. Te Real Madridi po përpiqen ta minimizojnë gjithë këtë”, ka shtuar ai.
Laporta nuk është ndalur me kaq. Ai ka kritikuar ashpër atë që e konsideron si qëndrim kundërshtues të Real Madridit ndaj nismave dhe organizatave të ndryshme sportive, duke përmendur UEFA-n dhe Euroleague në basketboll.
“Ata janë kundër gjithçkaje. Shikoni UEFA-n, Euroleague janë kundër gjithçkaje dhe të gjithëve”, ka thënë presidenti i Barcelonës.
“Kjo tregon shumë për një klub që po humbet prestigjin, njohjen dhe besimin, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Kjo është e qartë”, ka deklaruar ai, duke iu referuar edhe mungesës së përfaqësuesve të Real Madridit në kongresin e Asociacionit të Klubeve Evropiane.
“Ata sillen me shumë arrogancë, mendjemadhësi dhe vetëkënaqësi. Është zgjedhja e tyre se si veprojnë, por kjo lloj sjelljeje çon në një humbje të madhe të besimit”, është shprehur ai.
“Në fund, ata arrijnë marrëveshje me të gjithë, por gjatë rrugës vetëm pengojnë atë që duan të bëjnë të tjerët. Duhet të bëjnë vetëkritikë, sepse unë e konsideroj të papranueshme një sjellje të tillë”, ka përfunduar Laporta./Telegrafi/






