Bankrot moral!

opinion

Bankrot moral! Dy burra dhe një ditëlindje në Moskë: Vlladimir Putini dhe shërbëtori i tij nga Gjermania, Gerhard Schröder. Dy burra qëndrojnë para një oxhaku. Pas tyre gjendet edhe një figurë kali. Fotografia flet më shumë se një mijë fjalë: këta dy burra janë miq të mirë. Këtë e dëshmon edhe mënyra se si ia […]

Madhësia e shkronjave

Bankrot moral! Dy burra dhe një ditëlindje në Moskë: Vlladimir Putini dhe shërbëtori i tij nga Gjermania, Gerhard Schröder.

Dy burra qëndrojnë para një oxhaku. Pas tyre gjendet edhe një figurë kali. Fotografia flet më shumë se një mijë fjalë: këta dy burra janë miq të mirë. Këtë e dëshmon edhe mënyra se si ia shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit. Në të majtë është ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder. Në të djathtë, sundimtari rus Vlladimir Putin. Dy pleq të gëzuar. Gjermani, i veshur me kostum të shtrenjtë e këmishë të bardhë si bora, ka ardhur në Moskë për t’ia uruar ditëlindjen rusit, i cili lë përshtypjen e një druvari që sapo është kthyer nga mali.

Në një fotografi tjetër shihen kufoma në një qytet ukrainas. Viktima të dronëve të Vlladimir Putinit. Ndërsa në Moskë festohej me shampanjë, në Ukrainë rrugët laheshin me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Nga Putini bota e civilizuar nuk pret asnjë përmbajtje morale; nga Schröderi këtë e presin së paku disa krerë të partisë së tij socialdemokrate. Por e vërteta është kjo: kush i shkon Putinit në konak për ditëlindje pas gjithë krimeve të forcave të tij, nuk ka më asnjë fije turpi. Putini, siç dihet, kërkohet si kriminel lufte me një fletarrest të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. (Bota ka ndryshuar: qeveria aktuale amerikane i ka shpallur luftë kësaj gjykate, një institucion i pranuar nga 125 shtete të botës.)

Putini është investitor i mirë. Që herët e ka kuptuar se lakmia e Schröderit për të fituar para është e pafrenueshme. Dhe Putini i ka ofruar Schröderit poste në koncernet ruse të naftës e të gazit. Në këtë miqësi pleqsh, Ukraina është vetëm pengesë. Për Putinin, edhe plaçkë.

Agresioni i Putinit nuk drejtohet vetëm kundër Ukrainës. Në një park në zemër të Berlinit, një agjent i tij ka vrarë një gjeorgjian me origjinë çeçene. Janë të njohura dhe janë bërë publike sulmet kibernetike ruse kundër politikanëve dhe firmave gjermane. Me dronë të dirigjuar nga shërbimet ruse po sulmohet infrastruktura gjermane. Në shënjestër të agjentëve rusë janë edhe menaxherë gjermanë të uzinave të armëve. Lufta ruse ka arritur edhe në Gjermani.

Por socialdemokratët gjermanë – të cilët janë krenarë si trashëgimtarë të partisë së Willy Brandtit – ende qëndrojnë të hutuar e të verbër dhe nuk po e përjashtojnë nga radhët e tyre Gerhard Schröderin. Për gjithçka në karrierën e tij, ai i detyrohet partisë së vet. Si shpërblim, Schröderi përqafohet me një politikan rus që ka për qëllim të shkatërrojë Europën. Lojaliteti ndaj Gjermanisë: zero.

Schröderi është më i paskrupullti, por jo i vetmi. Klaus von Dohnanyi, ish-kryetar i Hamburgut, po ashtu angazhohet për ruajtjen e kontakteve me Rusinë dhe të keqen e kësaj bote më shumë e sheh në Washington. Në vitet ’70, Klaus von Dohnanyi ka qenë sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane. Në atë kohë, shërbimi sekret jugosllav ka vrarë e përndjekur dhjetëra aktivistë politikë kroatë dhe shqiptarë në Gjermani. Von Dohnanyi nuk ka ndërmarrë pothuajse asgjë. Këtë e ka pranuar tërthorazi edhe vetë, sepse për Gjermaninë regjimi i Titos ishte strategjikisht më i rëndësishëm.

Ka edhe socialdemokratë të tjerë gjermanë që mes Berlinit e Moskës nuk shohin asnjë popull tjetër. Helmut Schmidt (1918-2015), ish-kancelar socialdemokrat, ka hedhur një hije të zezë mbi veten me deklaratën: “Mes historianëve është e diskutueshme nëse ekziston fare një komb ukrainas” (tha kështu në vitin 2014, pasi Putini pushtoi Krimenë). Historiani Ulf Brunnbauer, drejtor i Institutit për Studime të Europës Lindore dhe Juglindore në Regensburg (IOS), i qe përgjigjur kështu Schmidtit: “Në thelb, kjo deklaratë është një marrëzi e kulluar”.