Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte Shaban Baholli, drejtor i përgjithshëm i 2 Korrikut, i cili rrëfeu për rrugëtimin e tij mbi pesëdekadësh me këtë klub, nga fillimet si futbollist në vitin 1971 e deri te përgjegjësitë drejtuese që mban sot. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Baholli ka përmendur Etrit Berishën dhe Ardian Ismajlin si dy prej futbollistëve me të cilët krenohet sot 2 Korriku, pasi të dy janë zhvilluar në këtë klub para se të vazhdonin karrierën në nivele më të larta.
“Kështu që është një sakrificë e madhe, por nuk e di, vullneti ka qenë më i madh se të gjitha vështirësitë e tjera dhe ia kemi dalë”, ka rrëfyer Baholli.
“Jo vetëm që ia kemi dalë, por, ma merr mendja, ia kemi dalë edhe mirë. Kur i sheh, për shembull, futbollistët në Ligën e Kosovës dhe në Superligë, ka shumë lojtarë që kanë dalë nga 2 Korriku”, ka thënë ai.
“Dy i kemi në Kombëtaren e Shqipërisë, për shembull, Etrit Berishën dhe Ardian Ismajlin, të cilët janë rritur këtu, në këtë fushë me baltë, dhe janë larguar pasi i kanë mbushur 18 vjet”, ka deklaruar Baholli, ndër të tjera.
Episodin e plotë me Shaban Bahollin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/






