Turniri Memorial “Gani Maloku” në ping-pong rikthehet për edicionin e shtatë

Sport

Në Ferizaj, më 17 dhe 18 tetor 2026, do të mbahet Turniri i 7-të Memorial “Gani Maloku”, një ngjarje sportive e dedikuar përkujtimit të një prej figurave të njohura të pingpongut, Gani Maloku. Turniri do të zhvillohet në Shkollën “Astrit Bytyçi”, duke filluar nga ora 10:00. Garat do të zhvillohen në kategoritë U11, U13, U15, […]

Madhësia e shkronjave

Në Ferizaj, më 17 dhe 18 tetor 2026, do të mbahet Turniri i 7-të Memorial “Gani Maloku”, një ngjarje sportive e dedikuar përkujtimit të një prej figurave të njohura të pingpongut, Gani Maloku.

Turniri do të zhvillohet në Shkollën “Astrit Bytyçi”, duke filluar nga ora 10:00. Garat do të zhvillohen në kategoritë U11, U13, U15, U19, Senior dhe Veteranë, ndërsa kategoria Senior do të ndahet në meshkuj dhe femra.

Klubi organizator është themeluar në vitin 2018 dhe që nga themelimi ka vazhduar aktivitetin e tij në zhvillimin dhe promovimin e pingpongut. Në vitin 2019 u organizua turniri i parë memorial, i cili në atë kohë ishte i dedikuar kategorisë së veteranëve.

Më pas, në vitin 2024, turniri u zgjerua edhe me kategorinë Senior, ndërsa në vitet në vijim u përfshinë edhe kategoritë e grupmoshave U11, U13, U15 dhe U19, për femra dhe meshkuj.

Qëllimi i këtij turniri është përkujtimi i Gani Malokut, jetës dhe veprës së tij, si dhe ruajtja e kujtimit për kontributin e tij në pingpong. Përmes këtij aktiviteti, organizatorët synojnë që tradita dhe dashuria për këtë sport të vazhdojnë të përcillen edhe tek gjeneratat e reja.

Për kategoritë Senior, fondi i përgjithshëm i shpërblimeve është 1,100 euro, duke i dhënë turnirit një rëndësi të veçantë edhe në aspektin garues.

Turniri i 7-të Memorial “Gani Maloku” pritet të mbledhë në Ferizaj sportistë të grupmoshave të ndryshme, duke e kthyer këtë aktivitet në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin e pingpongut dhe sportin në përgjithësi. /Telegrafi/