Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në platformën Truth Social një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitet i transformuar si legjenda e muzikës Elvis Presley.
Fotografia, e shpërndarë pa asnjë përshkrim nga Trump, e paraqet atë me një kostum të bardhë të ngjashëm me atë që Elvis Presley veshi gjatë koncertit të famshëm “Aloha from Hawaii” në vitin 1973.
Ky ishte vetëm një nga disa postime të krijuara me inteligjencë artificiale që Trump publikoi gjatë fundjavës.
Brenda një ore, ai shpërndau dhjetëra materiale të gjeneruara nga AI, ku shfaqej në role dhe situata të ndryshme, përfshirë si një figurë ushtarake, pranë një versioni të tij si fëmijë dhe në krahasime me figura historike.
Trump publikoi gjithashtu imazhe të tjera me inteligjencë artificiale, përfshirë një hartë të Venezuelës me flamurin amerikan dhe një foto ku fytyra e tij vendosej mbi Grenlandën.






