Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Tajlandë, ku futbollisti 24-vjeçar Safwan Awae humbi jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë një ndeshjeje miqësore mes dy skuadrave të ligës së tretë nga Tajlanda dhe Malajzia.
Incidenti ndodhi më 4 gusht në stadiumin Santiphap, ndërsa ndeshja po zhvillohej në kushte të motit të rënduar nga shirat e sezonit musonik.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur rrufeja godet drejtpërdrejt futbollistin, i cili bie menjëherë pa ndjenja në fushë.
Stafi mjekësor reagoi menjëherë dhe tentoi ta rikthente në jetë me reanimim (CPR), por 24-vjeçari ndërroi jetë pak pasi mbërriti në spital për shkak të lëndimeve dhe djegieve të rënda të shkaktuara nga goditja e rrufesë.
Përveç viktimës, edhe 12 futbollistë të tjerë që ndodheshin në fushë pësuan djegie dhe lëndime të ndryshme. Ata u dërguan në spital, ku morën trajtim mjekësor.
Në këtë periudhë të vitit, Azia Juglindore ndodhet në kulmin e sezonit të shirave, i cili zgjat nga maji deri në tetor dhe karakterizohet nga stuhi të shpeshta me shkarkime të forta elektrike.
Sipas protokolleve të FIFA-s dhe UEFA-s, ndeshjet duhet të ndërpriten dhe fusha të evakuohet nëse konstatohet aktivitet i rrufeve brenda një rrezeje prej 8 deri në 13 kilometrash. Megjithatë, në këtë rast tragjedia nuk arriti të parandalohej./Telegrafi/






