Dominik Szoboszlai dhe Curtis Jones duket se janë përfshirë në një debat në fushë të enjten, që mund të ketë pasur lidhje me shiritin e kapitenit të Liverpoolit.
Gjatë fitores 1-0 të Liverpoolit ndaj Wrexhamit në një ndeshje miqësore parasezonale, e zhvilluar në ‘Yankee Stadium’ në New York, Szoboszlai u zëvendësua pasi dha asistimin për golin e Rio Ngumohas.
Mesfushori hungarez hoqi shiritin e kapitenit teksa po largohej nga fusha dhe ia dorëzoi atë Kostas Tsimikasit, i cili ishte futur në lojë në pjesën e dytë. Pas përfundimit të ndeshjes, të dy lojtarët u përfshinë në një diskutim të tensionuar me Curtis Jones.
Edhe pse ende nuk dihet saktësisht arsyeja e përplasjes, shumë tifozë kanë dyshuar se Jones ishte i pakënaqur me vendimin e Szoboszlait për t’ia dhënë shiritin Tsimikasit, bazuar në reagimet e mesfushorit anglez.
Jones, i cili ka dalë nga akademia e Liverpoolit, u duk i acaruar gjatë bisedës me Szoboszlain, përpara se lojtarët e tjerë të ndërhynin për të qetësuar situatën. Më pas iu bashkua edhe Tsimikasi, i cili e hodhi shiritin e kapitenit në tokë.
25-vjeçari e mori shiritin dhe më pas përqafoi Szoboszlain, ndërsa hungarezi nuk pranoi ta komentonte drejtpërdrejt këtë çështje në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Disa lojtarë u larguan dhe ndoshta nuk jemi më të vjetrit në skuadër, por kemi qenë këtu për një kohë të gjatë”, tha Szoboszlai.
Turneu parasezonal i Liverpoolit do të përfundojë të dielën në Chicago, ku ‘Të Kuqtë’ do të përballen me Leeds United, ndërsa më pas do të zhvillojnë edhe miqësore ndaj Monacos dhe Comos./Telegrafi/






