Përzgjedhësi i Marokut, Mohamed Ouahbi dhe ylli i ekipit, Achraf Hakimi, dolën para mediave në prag të ndeshjes ndaj Brazilit, duke shfaqur optimizëm jo vetëm për këtë sfidë, por edhe për ecurinë e tyre në Kupën e Botës.
Maroku do të nisë Botërorin 2026 kundër një prej pretendentëve kryesorë, si Brazili, por te ekipi kanë shpresa se do të marrin rezultat pozitiv.
“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu”.
“E ndiejmë se Kupa e Botës po hyn në fazën më emocionuese, ndaj mezi presim t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja.
“Është e qartë se atmosfera është pozitive. Kemi shumë besim. Besojmë te gjendja fizike e lojtarëve, te ajo që kemi ndërtuar dhe te parimet e vlerat që kemi vendosur në skuadër. Në fund, janë ndeshjet që fitojmë ato që tregojnë se ku qëndrojmë, por këtë e kemi parë tashmë edhe në përballjen ndaj Norvegjisë”.
“Mendoj se jemi në një pozitë të mirë për ta nisur turneun. Objektivi është të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, kështu që nuk kam asnjë ankesë”, deklaroi Ouahbi.
Ndërsa, Achraf Hakimi ka folur me shumë respekt për Brazilin dhe Vinicius Juniorin para përballjes së shumëpritur, duke theksuar se Maroku është i përgatitur për sfidën ndaj njërit prej favoritëve kryesorë.
“Besoj se të gjithë e njohin Kombëtaren e Brazilit dhe cilësitë e Viniciusit. Kam luajtur kundër tij shumë herë dhe ai është një lojtar i madh. Për t’u mbrojtur ndaj Viniciusit dhe futbollistëve të tjerë brazilianë, të cilët janë të gjithë të nivelit të lartë, duhet të mbrohesh si ekip dhe me ide të qarta.
“Mendoj se jemi stërvitur dhe përgatitur për ndeshje të tilla. Besoj se skuadra është gati. Personalisht ndihem gati dhe kam besimin e nevojshëm për të zhvilluar një ndeshje të madhe dhe për të dhënë një paraqitje të shkëlqyer”, deklaroi Hakimi.
Mbrojtësi i krahut u shpreh i bindur se Maroku mund të rivalizojë me kombëtaren më të suksesshme në historinë e Kupës së Botës.
“Siç e kam thënë edhe më parë, ne e njohim mirë kundërshtarin që do të përballemi nesër.
“E njohim Brazilin, historinë e tij dhe cilësinë e lojtarëve të tij. Por edhe ne kemi cilësi. Në Afrikë na quajnë ‘Brazilianët e Afrikës’. Jemi lojtarë të talentuar dhe kemi pikat tona të forta.
“Besoj se jemi gati të bëjmë diçka të rëndësishme, me besim dhe me mbështetjen e të gjithë marokenëve. Mendoj se mund të zhvillojmë një Kupë Bote të madhe dhe ta nisim mirë që nesër”, shtoi ai.
Maroku u bë kombëtarja e parë afrikane që arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në vitin 2022, por Hakimi nuk dëshiron të shikojë shumë larg në këtë moment.
“Jemi plotësisht të fokusuar te ndeshja e parë, te nesërmja. Duam ta nisim në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pas do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, duke u përpjekur të shkojmë sa më larg dhe të bëjmë më mirë se në Kupën e fundit të Botës.
“Por tani për tani po mendojmë vetëm për nesër, për të dhënë paraqitjen më të mirë të mundshme dhe për të fituar ndeshjen, që është ajo që duam”, përfundoi ylli i Marokut./Telegrafi/






