Aurelien Tchouameni ka thyer më në fund heshtjen lidhur me përplasjen e raportuar në fund të sezonit me bashkëlojtarin e Real Madridit, Federico Valverde, duke hedhur poshtë spekulimet që qarkulluan në media.
Mesfushori francez shfrytëzoi rastin për të kritikuar ashpër mediat, duke i akuzuar se kanë sajuar një pjesë të madhe të historisë.
“Çfarë mësova nga incidenti me Fede Valverden? Siç e kam thënë edhe më parë, e vetmja gjë që më shqetësoi ishin historitë e sajuara”, deklaroi Tchouameni.
Duke folur për raportimet mediatike, ai shtoi se kjo situatë ishte diçka që ai nuk mund ta kontrollojë.
“Kjo është diçka që nuk mund ta kontrolloj. Mediat shpikin gjëra çdo ditë. Gjëja më e rëndësishme është që ne të vazhdojmë përpara”.
Francezi tregoi gjithashtu se kjo situatë i ka dhënë një mësim të rëndësishëm.
“Problemi nuk është kurrë aq i madh sa e mendon në fillim. Sot flasim për këtë, por pas pak ditësh gjithçka kalon”.
Ai pranoi se zhurma mediatike është e pashmangshme, por theksoi se duhet durim për ta kaluar atë.
“Duhet vetëm t’i kalosh ato dy ose tri ditë kur krijohet shumë bujë rreth një historie”.
Në fund, Tchouameni konfirmoi se çështja është mbyllur dhe se nuk ka asnjë problem në marrëdhënien e tij me Valverden.
“Jam i gatshëm të vazhdoj të punoj me Fede Valverden dhe të jem në krah të tij deri në fund”, përfundoi francezi./Telegrafi/






