Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka deklaruar se, ‘dështimin e dy viteve me ngërçe institucionale’, qeveria duket se synon ta zëvendësojë me një rrëmujë totale legjislative, duke trajtuar ligje pa vlerësim të mirëfilltë.
Sipas tij, me një ritëm të synuar prej dy ligjesh në javë, “kjo qeveri po synon të trajtojë rreth 24 ligje brenda një tremujori sa është një mesatare e një procesi të mirëfilltë ligjor, madje me një kostim, por pa një ‘impact assessment’ të mirëfilltë”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar se kjo është “qeveri pa ide, pa vizion, me një plan legjislativ qesharak”.

Ai tutje shtoi se, në realitet, një proces legjislativ kërkon konceptim, hartim të draftit, konsultime, koordinim ndërsektorial, shqyrtim të komenteve dhe amendamentim.
“Varësisht nga kompleksiteti, ky proces mund të zgjasë mesatarisht rreth 12 javë”, shtoi Tahiri.
Sipas Tahirit, për ta realizuar këtë agjendë, qeverisë i bie të zhvillojë dhjetëra procese legjislative paralelisht, duke angazhuar njëkohësisht ministritë dhe mekanizmat e koordinimit sektorial e ndërsektorial.
“Pra dështimin e dy viteve me ngërçe institucionale, kjo qeveri duket se synon ta zëvendësojë me një rrëmujë totale legjislative. Por as numri i ligjeve nuk e zëvendëson mungesën e vizionit, as nxitimi nuk prodhon zhvillim”, ka shkruar Tahiri.





