Fiat ka prezantuar konceptin e ri Multiplay, një automjet inovativ që kombinon karakteristikat e SUV-it, minibusit familjar dhe pickup-it.
Koncepti është prezantuar në Panairin e Automobilave në Paris dhe synon të ofrojë më shumë fleksibilitet për familjet dhe personat me stile të ndryshme jetese.

Veçoria kryesore e tij është mundësia e shndërrimit nga një veturë familjare me tri radhë ulësesh në një pickup me katër ulëse dhe hapësirë të hapur për ngarkesa.
Ky transformim realizohet përmes një sistemi modular të quajtur “Metamorfosi”, i cili mundëson zhvendosjen e pjesës së pasme të çatisë dhe radhës së tretë të ulëseve.
Multiplay ka gjatësi prej 4.45 metrash dhe mund të akomodojë gjashtë persona, si dhe një ulëse të veçantë të projektuar për kafshët shtëpiake.
Në versionin pickup, automjeti përfshin një sistem për sigurimin e ngarkesave dhe një mbajtëse të integruar për transportimin e dy biçikletave.
Fiat nuk ka zbuluar detaje për motorin, por koncepti mund të jetë elektrik, ndërsa brendësia dallohet për dizajnin futuristik dhe ekranin ultra të gjerë.
Megjithatë, kompania ka bërë të ditur se Multiplay nuk është paralajmërim për një model të caktuar që do të hyjë në prodhim, por një koncept që paraqet ide për automjetet e së ardhmes. /Telegrafi/





