Studimi zbulon veturat elektrike me bateritë më jetëgjata?

Teknologji

Një studim i ri i kompanisë austriake, AVILOO përfshin të dhëna nga automjete elektrike të përdorura, të testuara përmes testit të pavarur AVILOO Flash. Për secilin model, AVILOO llogarit gjendjen mesatare të baterisë në tri pika kyçe të kilometrazhit – 50000, 100000 dhe 150000 kilometra – si dhe autonominë e pritshme që do të mbulojë […]

Madhësia e shkronjave

Një studim i ri i kompanisë austriake, AVILOO përfshin të dhëna nga automjete elektrike të përdorura, të testuara përmes testit të pavarur AVILOO Flash.

Për secilin model, AVILOO llogarit gjendjen mesatare të baterisë në tri pika kyçe të kilometrazhit – 50000, 100000 dhe 150000 kilometra – si dhe autonominë e pritshme që do të mbulojë 99 për qind të automjeteve në secilën prej këtyre pikave.

Testi i AVILOO-s, një diagnostikim i pavarur që zgjat rreth tre minuta dhe kryhet duke e lidhur pajisjen me portën OBD të automjetit, është krijuar për t’i dhënë përgjigje pyetjes se në çfarë gjendjeje ndodhet bateria e çdo automjeti. Studimi bazohet tërësisht në automjete elektrike të certifikuara dhe në automjete të përdorura, gjendja reale e baterive të të cilave është dokumentuar dhe jo e hamendësuar.

AVILOO ka bërë të ditur se edicioni aktual i studimit përfshin më shumë se 500 mijë teste të pavarura të kryera te automjete të certifikuara nga AVILOO gjatë periudhës 2022–2026, në 20 modele të njohura të automjeteve elektrike. Këto të dhëna janë pjesë e bazës globale të AVILOO-s, e cila përmban më shumë se një milion teste. Hulumtimi përfshin modele të testuara në mbarë botën.

Gjendja e shëndetit të baterisë (SoH), pra përqindja e kapacitetit fillestar që ka mbetur, mund të ndryshojë deri në 13,5 për qind ndërmjet automjeteve më të mira dhe më të dobëta të të njëjtit model. Automjetet elektrike me bateri më të vogla, të cilat kanë nevojë për cikle më të shpeshta karikimi për të përshkuar të njëjtën distancë, zakonisht shfaqin degradim më të shpejtë të baterisë sesa modelet me bateri më të mëdha.

Vetura që ka dalë më mirë në testime është Hyundai Ioniq 5. Bateria e saj prej 72,7 kWh ruante ende 93,37 për qind të kapacitetit pas 150 mijë kilometrash.

Dy crossoverë të njohur dhe konkurrentë në treg kanë shënuar rezultate të ngjashme. Volkswagen ID.4, me bateri 77 kWh, ruan 95,41 për qind të kapacitetit pas 50.000 kilometrash dhe 90,09 për qind pas 150.000 kilometrash.

Ndërsa Tesla Model Y Long Range, me bateri 78,8 kWh dhe i prodhuar nga viti 2021 deri në 2025, regjistron 94,54 për qind të kapacitetit pas 50 mijë kilometrash dhe 90,05 për qind pas 150 mijë kilometrash. Të gjitha këto konsiderohen rezultate të mira.

AVILOO lëshon certifikata për gjendjen e baterive të automjeteve elektrike të përdorura. /Telegrafi/