Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Gjermaninë, duke paralajmëruar se Moska përbën kërcënim në rritje për sigurinë evropiane.
“Po përballemi me një kërcënim masiv në lindje të kontinentit tonë. Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës e ka tronditur thellësisht rendin evropian të paqes”, tha Merz në një kongres të Unionit Kristian Social (CSU), që është pjesë e koalicionit qeverisës, në Mynih.
“Gjithashtu shohim se Rusia synon të destabilizojë Gjermaninë çdo ditë”, shtoi ai.
Merz paralajmëroi se kërcënimi shtrihet përtej Ukrainës, duke përmendur sulmet kibernetike, sabotimet dhe përpjekjet për sulme ndaj infrastrukturës kritike në gjithë Evropën.
“Ky kërcënim nuk kufizohet më vetëm te Ukraina. Në gjithë Evropën po përballemi me sulme kibernetike, sabotime, përpjekje për sulme ndaj infrastrukturës kritike, siç ishte rasti në aeroportin e Lajpcigut më 4 gusht, si dhe përpjekje për të destabilizuar shoqërinë tonë demokratike”, tha ai.
“E gjithë kjo kërcënon lirinë tonë dhe për këtë arsye po investojmë për ta ruajtur atë”, shtoi Merz.
Deklaratat e tij vijnë pas paralajmërimit të mëparshëm të kreut të inteligjencës së jashtme gjermane për rrezikun që vendi të përfshihet në një konflikt të dhunshëm me Rusinë.
Më 5 tetor, presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës, Martin Jaeger, i tha komisionit parlamentar për inteligjencën se përballja me Rusinë ka hyrë në një fazë të re dhe më të rrezikshme.
“Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të dhunshëm me Rusinë. Përpjekja për sulm në Lajpcig është vetëm një shembull i kësaj”, tha Jaeger, duke iu referuar një përpjekjeje për sulm me dron ndaj një avioni ukrainas transportues mallrash në gusht.
“Asnjë vend tjetër aktualisht nuk përbën kërcënim kaq të drejtpërdrejtë, gjithëpërfshirës dhe konkret për Gjermaninë”, shtoi ai. /AA/