Malisheva ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive në Superligën e Kosovës në futboll, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 11-të.
Takimi u zhvillua të shtunën mbrëma në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku mysafirët arritën të marrin tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.
Malisheva kaloi në epërsi në minutën e 35-të, kur kapiteni Dreni Kryeziu e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Skuadra mysafire e konfirmoi fitoren në minutën e 52-të, kur Rimal Haxhiu shënoi golin e dytë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-0.
Me këtë fitore, Malisheva regjistron suksesin e tetë në këtë edicion, krahas dy barazimeve dhe vetëm një humbjeje.
Skuadra vazhdon të jetë lidere e Superligës së Kosovës me 26 pikë të grumbulluara.
Në anën tjetër, Drenica mbetet në vendin e shtatë me 11 pikë, pas humbjes në shtëpi./Telegrafi/