Në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri i Lojërave Mesdhetare iu dorëzua zyrtarisht Kosovës, duke shënuar kalimin e organizimit te Prishtina, nikoqire e edicionit të vitit 2030.
Flamurin e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një moment historik që shënon nisjen zyrtare të rrugëtimit drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Para më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium, flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare.
Flamurin e Kosovës e dorëzoi basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Gjatë ceremonisë u prezantua edhe videoja promovuese e “Prishtina 2030”, përmes së cilës publiku u njoh me Kosovën dhe kryeqytetin si nikoqirin e ardhshëm të Lojërave Mesdhetare.
Para ceremonisë së dorëzimit, flamurin e Kosovës në ceremoninë mbyllëse të “Taranto 2026” e bartën karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.
Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me presidentin Ismet Krasniqi. /Telegrafi/






