Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Damien Comolli, ka deklaruar se klubi torinez mbetet tërheqës për lojtarët, edhe në rast se nuk siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Bianconerët” u ngjitën në vendin e katërt në Serie A pas fitores 1-0 ndaj Atalantës, duke përfituar edhe nga humbja e Comos ndaj Interit.
Me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund, Juventusi synon ta ruajë këtë pozitë që siguron kualifikimin në Ligën e Kmapionëve.

Comolli theksoi se, pavarësisht rëndësisë financiare të Ligës së Kampionëve, strategjia e klubit në afatin kalimtar do të mbetet ambicioze.
“Mendoj se strategjia jonë e transferimeve do të jetë ambicioze pavarësisht gjithçkaje. Nuk e dimë ende se ku do të përfundojmë në tabelë, mund të jetë vendi i katërt apo edhe më lart. Liga është shumë e ngushtë dhe ne jemi shumë ambiciozë në këto ndeshje të fundit”, u shpreh ai.
Juventusi aktualisht ndodhet vetëm tre pikë pas Milanit në vendin e tretë dhe gjashtë pikë larg Napolit në vendin e dytë, ndërsa mban një diferencë të vogël ndaj ndjekësve si Como dhe Roma.
Zyrtari i Juventusit zbuloi gjithashtu se klubi është në bisedime me disa lojtarë dhe se interesimi për t’iu bashkuar Juventusit nuk varet domosdoshmërisht nga pjesëmarrja në Ligën e Kasmpionëve.
“Lojtarët me të cilët po flasim nuk thonë se do të vijnë vetëm nëse luajmë në Ligën e Kampionëve. Ata janë të gatshëm t’i bashkohen Juventusit në çdo rast. Natyrisht, financiarisht është më mirë të jesh në Champions sesa në Ligën e Evropës, por ambicia jonë nuk ndryshon”, shtoi Comolli.
Ai nënvizoi se Juventusi do të ndërtojë një skuadër konkurruese për sukses në të ardhmen, pavarësisht se në cilën garë evropiane do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/





