Presidenti amerikan, Donald Trump tha se po shqyrton uljen e numrit të trupave amerikane në Spanjë dhe Itali, ndërsa SHBA po rishikon në mënyrë të gjerë praninë e saj ushtarake në Evropë, mes mosmarrëveshjeve me aleatët për luftën në Iran.
“Dua të them, ata nuk kanë qenë tamam në anën tonë”, u përgjigj Trump kur u pyet për mundësinë e uljes së trupave në Itali dhe Spanjë.
Trump kishte thënë gjithashtu se po shqyrtonte një reduktim të mundshëm të trupave në Gjermani, shkruan cnn.
“Po, ndoshta do ta bëj. Pse të mos e bëj? Italia nuk ka qenë aspak ndihmuese. Spanja ka qenë e tmerrshme. Absolutisht”, pohoi ai.
Trump ka pasur tensione të konsiderueshme me liderët e aleatëve evropianë për shkak të mungesës së mbështetjes në luftën në Iran. Në Zyrën Ovale, ai sërish kritikoi kancelarin gjerman, Friedrich Merz pasi ky i fundit i ofroi ndihmë me Iranin.
“Dhe do të mendonit se ata do të kishin thënë: ‘do të donim t’ju ndihmonim. Dua të them, ai po bën një punë të tmerrshme”, shtoi ai për Merzin.
Ky i fundit kishte thënë më herët këtë javë se Shtetet e Bashkuara po “poshtërohen” nga Irani, megjithatë ai gjithashtu deklaroi se marrëdhënia e tij me Trumpin mbetet “e mirë”.
Ndryshe, Trump kohët e fundit gjithnjë e më shumë ka sulmuar vendet e NATO-s për mungesë të investimeve. /Telegrafi/






