Aktorja e njohur amerikane, Sharon Stone, është rikthyer në pasarelë pas më shumë se tre dekadash, duke tërhequr vëmendjen në prezantimin e koleksionit pranverë/verë 2027 të Vetements, të mbajtur në kuadër të Paris Fashion Week.
68-vjeçarja parakaloi me vetëbesim e stil, e veshur me një xhaketë të bardhë, një këmishë të zezë me jakë dhe kravatë të bardhë, ndërsa pamjen e kompletoi me çizme të gjata prej lateksi që arrinin deri mbi kofshë.

Flokët i kishte stiluar në një prerje të drejtë ‘bob’, duke i dhënë një pamje moderne dhe elegante.
Kjo ishte hera e parë që Sharon ecte në pasarelë që nga tetori i vitit 1993, kur mbylli sfilatën e stilistit legjendar Valentino Garavani në Paris.
Aktorja kishte një miqësi të ngushtë me Valentinon dhe pas ndarjes së tij nga jeta në fillim të këtij viti, e kujtoi me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e falënderuar për talentin, vizionin dhe miqësinë e tyre shumëvjeçare.
Përveç rikthimit në botën e modës, Stone ka qenë aktive edhe në aktrim.
Së fundmi u shfaq në sezonin e tretë të serialit “Euphoria”, për të cilin është shprehur me superlativa.
Rikthimi i saj në pasarelë dhe angazhimet e fundit në televizion dëshmojnë se Sharon vazhdon të mbetet një nga figurat më të spikatura të industrisë së modës dhe kinematografisë, edhe pas dekadash karrierë. /Telegrafi/





