Rritja e temperaturave ka sjellë një shtim të ndjeshëm të numrit të turistëve në bregdetin e Durrësit.
Qyteti është populluar këto ditë nga pushues që kanë mbërritur nga vende të ndryshme, duke shënuar një fillim më të hershëm të sezonit turistik.

Paketat turistike kanë pësuar një rritje të vogël të çmimeve. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, kjo nuk ka ndikuar në uljen e interesit të vizitorëve.
“Këtë vit ka pasur një rritje të moderuar të çmimeve, në normën maksimumi 5%, duke qenë se janë rritur çmimet e lëndës së parë, çmimet e karburanteve që po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë vendase”, tha Blerim Norja, operator turistik.
Në rritjen e kërkesave për rezervime ka ndikuar edhe situata në Lindjen e Mesme, e cila ka shtyrë më shumë turistë të zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet.
“Shumë turistë që kishin rezervuar Turqinë po e shohin si një vend që mund të jetë pjesë e konfliktit dhe po e shohin Shqipërinë si një vend më te sigurt. Ka pasur një rritje për shoqërinë nga Franca dhe Anglia”, u shpreh Norja.
Operatorët turistikë janë optimistë se numri i turistëve do të vijojë të rritet gjatë gjithë sezonit veror, duke konfirmuar pritshmëri pozitive për një vit të suksesshëm për turizmin në bregdetin e Durrësit./Tv Klan





