Përdorimi i masave të posaçme hetimore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përgjimet telefonike, ndjekjen e personave dhe incizimet e fshehta, ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025.
Sipas raportit më të fundit të prokurorit publik Nenad Saveski, gjatë këtij viti prokurorët publikë kanë urdhëruar zbatimin e masave të posaçme hetimore në 44 raste të reja, ndërsa ato janë vazhduar edhe në katër raste të nisura gjatë vitit paraprak.
Të dhënat tregojnë një rritje prej mbi 25 për qind krahasuar me vitin 2024, kur masa të tilla ishin përdorur në 35 raste. Megjithatë, numri i rasteve mbetet më i ulët se në vitin 2023, kur ishin regjistruar gjithsej 87 raste.
Nga 44 rastet e reja, në dy raste iniciues ka qenë vetë Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa në të gjitha rastet e tjera propozimet janë dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Masat e posaçme hetimore janë zbatuar ndaj 365 personave, përfshirë edhe tre persona me identitet të panjohur, në kuadër të 56 lëndëve penale. Sipas raportit, në shumicën e rasteve janë arritur rezultatet e pritura, ndërsa efektiviteti i këtyre masave është vlerësuar përmes hapjes së hetimeve, ngritjes së aktakuzave dhe sigurimit të vendimeve dënuese.
Masa më e përdorur gjatë vitit ka qenë ndjekja dhe incizimi i personave jashtë banesës, e cila është aplikuar në 33 raste ndaj 107 personave. Këto masa janë përdorur kryesisht për zbulimin dhe dokumentimin e veprave të rënda penale, si vrasjet, trafiku i drogës, pastrimi i parave, ryshfeti, terrorizmi dhe trafikimi i njerëzve.
Ndërkaq, përgjimi i komunikimeve telefonike dhe elektronike është urdhëruar në 28 raste, duke përfshirë 140 persona. Në disa raste, përgjimet kanë zgjatur deri në tetë muaj. Këto masa janë shfrytëzuar në hetimet për vrasje, trafik droge, pastrim parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë migrantësh dhe trafikim njerëzor.
Raporti konstaton se masat e posaçme hetimore mbeten një nga mjetet kryesore të organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me përdorim në rritje gjatë vitit 2025.





