Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për filmin kosovar “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, i cili së fundmi ka pasur premierën botërore në Festivalin e Kanës, në kuadër të Critics’ Week.
Artistja e lindur në Prishtinë e ka shpërndarë në InstaStory një video nga traileri i filmit, duke e shoqëruar me një mesazh emocionues, ku thotë se e gjen shumë veten në historinë që trajton “Dua”.
Në Story, Rita shkroi (përshtatur në shqip): “@blertabb, me zemër… Të arrish të kapësh rritjen tonë në vitet ’90 është një histori që vetëm ne, gratë, mund ta shprehim vërtet në mënyrën tonë. Jam shumë krenare për këtë moment. Si një vajzë që u rrita në vitet ’90, ajo është një periudhë e veçantë që do të mbetet përgjithmonë në kujtimet e mia”.
Filmi “Dua”, i cili pati premierën botërore më 13 maj në Cannes Critics’ Week, vjen pas suksesit të madh të filmit të parë të Bashollit, “Hive”, që u shfaq në Sundance në vitin 2021 dhe u bë filmi i vetëm në historinë e festivalit që fitoi njëkohësisht Grand Jury Prize, çmimin për regji dhe Audience Award në kategorinë World Cinema Dramatic.
Ngjarja e “Dua” zhvillohet në Kosovën e fundit të viteve ’90, gjatë luftës. Filmi trajton historinë e Duas 13-vjeçare, e cila përballet me realitetin e dhunës së përditshme, pasiguritë e luftës dhe njëkohësisht me “rritjen” dhe sfidat e të qenit vajzë e re. Teksa përpiqet të jetojë mes rrezikut dhe frikës, ajo përballet edhe me mundësinë që të largohet nga vendi që e do, duke mësuar si të mbrohet fizikisht dhe emocionalisht.
Vet regjisoria Blerta Basholli ka shpjeguar se filmi ka edhe elemente personale, pasi është pjesërisht semi-autobiografik, duke u bazuar në përjetime dhe kujtime nga ajo periudhë.
Mbështetja e Rita Orës për “Dua” shihet si një shtysë e fortë për filmin kosovar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në një moment kur kinematografia nga Kosova po vazhdon të fitojë vëmendje në festivalet më prestigjioze të botës. /Telegrafi/






