Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se nga ora 13:55, Policia e Maqedonisë së Veriut ka rikthyer në funksion qarkullimin në pikat kufitare, pas ndërprerjes së përkohshme të shkaktuar nga rënia e sistemit të regjistrimit të hyrje-daljeve.
Sipas njoftimit, kalimi i personave dhe veturave tashmë është lejuar, mirëpo kontrollet po zhvillohen me procedura të dyfishta dhe regjistrimi po bëhet në mënyrë manuale në hyrje dhe dalje.
“Për çdo risi do t’ju mbajmë të njoftuar me kohë”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.
Më herët gjatë ditës, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar kishte bërë të ditur se nga ora 13:40 kishte rënë sistemi i regjistrimit në pikat kufitare të Maqedonia e Veriut, duke detyruar autoritetet policore të ndërpresin përkohësisht të gjithë qarkullimin e personave, veturave dhe autobusëve.
Si pasojë e problemit teknik, në kufi u krijuan kolona të gjata të automjeteve dhe pritje të shumta për qytetarët.
QKMK kishte rekomanduar përdorimin e pikave alternative kufitare: Pika Kufitare Stançiq-Bellanovc dhe Pika Kufitare Glloboqicë. /Telegrafi/






