Ikona botërore, Ricky Martin, do të performojë në Podgoricë më 21 maj, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Organizatorët e cilësojnë këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit në rajon, duke theksuar se qyteti do të shndërrohet në një skenë të madhe festive me një emër që simbolizon spektakël dhe produksion të nivelit të lartë.
Sipas tyre, koncerti është konceptuar si një dhuratë e shtetit për qytetarët, me synimin që dy dekadat e pavarësisë të shënohen me një program që lë gjurmë.
Në njoftimin e tyre thuhet se ardhja e një artisti si Ricky Martin, i njohur për energjinë në skenë dhe hite që kanë kaluar kufijtë, konfirmon që ky përvjetor të mos jetë thjesht një ceremoni formale, por një festë e vërtetë publike.
Organizatorët kanë bërë të ditur edhe një detaj që pritet ta shtojë interesimin: hyrja do të jetë falas për të gjithë vizitorët.
Koncerti do të mbahet në Sheshin e Pavarësisë, ku publiku ftohet të mblidhet për të festuar me muzikë dhe atmosferë, duke përcjellë një mesazh për Malin e Zi si vend i kulturës, prosperitetit dhe bashkimit.
Ata shtojnë se prania e Ricky Martin në këtë përvjetor i jep festës një dimension të veçantë, duke e vendosur Malin e Zi në hartë si një pikë takimi për artin dhe ngjarjet e mëdha, dhe duke e kthyer 21 majin në një natë që synon të mbahet mend gjatë. /Telegrafi/






