Remitencat e diasporës për gjashtë muajt e parë – Gjermania prin me rreth 39.3 për qind të dërgesave dhe Zvicra me 17.2 për qind

Nacionale

Gjermania dhe Zvicra mbeten burimi kryesor i remitencave të dërguara në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sipas të dhënave për periudhën janar–qershor, rreth 39.3 për qind e dërgesave të migrantëve kanë ardhur nga Gjermania, ndërsa 17.2 për qind nga Zvicra. Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.3 për qind, […]

Madhësia e shkronjave

Gjermania dhe Zvicra mbeten burimi kryesor i remitencave të dërguara në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave për periudhën janar–qershor, rreth 39.3 për qind e dërgesave të migrantëve kanë ardhur nga Gjermania, ndërsa 17.2 për qind nga Zvicra.

Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.3 për qind, Austria me 4.6 për qind dhe Italia me 3.7 për qind. Belgjika përbën 3.4 për qind të dërgesave, Franca 3.3 për qind, Suedia 3.1 për qind dhe Mbretëria e Bashkuar 3 për qind.

Muaji prill shënon peshën më të lartë të remitencave nga Gjermania, me 43.8 për qind të totalit, ndërsa Zvicra kulmoi në maj me 18.4 për qind.

Derisa këto statistika për remitencat nga shtetet janë për gjashtë muajt e parë, Banka Qendrore e Kosovës ditë më parë për Telegrafin bëri të ditur se diaspora ka dërguar në atdhe gati 1 miliard euro vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 6.74 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se remitencat kanë arritur në 984.1 milionë euro, duke konfirmuar peshën e madhe që paratë e mërgimtarëve vazhdojnë të kenë në ekonominë e vendit.

Por, cilat janë kanalet përmes së cilave dërgohen në Kosovë remitencat nga diaspora?

Bazuar në të dhënat preliminare të remitancave sipas kanaleve, agjencitë për transfer të mjeteve janë kanali kryesor përmes të cilit diaspora dërgon remitenca në Kosovë. Gjatë periudhës janar-gusht 2026, pjesëmarrja e këtij burimi në total remitencat është 56%.

Kanalet bankare renditen të dytat për nga rëndësia, me pjesëmarrje prej 18% gjatë periudhës janar-gusht 2026.

Ndërsa pjesa e mbetur është dërguar përmes kanaleve të tjera, të cilat përfshijnë kryesisht transferet informale, remitencat në mallra dhe format e tjera të dërgimit të mjeteve.

Cili është ndikimi i remitencave në ekonominë e Kosovës?

Banka Qendrore e Kosovës ditë më parë në një deklaratë për Telegrafin theksoi se remitencat vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës.

Në vitin 2025, vlera e tyre përfaqëson rreth 13% të BPV-së nominale, duke dëshmuar rëndësinë e tyre si burim i të ardhurave për një numër të madh familjesh.

Në përputhje me standardet ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave, BQK i regjistron remitencat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente. /Telegrafi/