Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj një cisterne nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar se anijet që, sipas saj, shkelin rrugët e përcaktuara të lundrimit do të ndiqen dhe ndëshkohen kudo në rajon. Ndërkohë, agjencitë e sigurisë detare kanë raportuar edhe dy sulme të tjera ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik.
Marina e IRGC-së deklaroi se shënjestroi dhomën e motorit dhe sistemin e lëvizjes së cisternës MV Sun Shine, në pronësi të kompanisë Natwit, pasi anija tentoi të kalonte nëpër një rrugë që Irani e konsideron të paautorizuar, në pjesën jugore të ngushticës. Sulmi shkaktoi zjarr në bord.
Në një deklaratë, Garda Revolucionare paralajmëroi se veprimet kundër anijeve që i konsideron shkelëse nuk do të kufizohen më vetëm në Ngushticën e Hormuzit. Sipas saj, çdo anije që përdor rrugë të paautorizuara do të ndiqet dhe “ndëshkohet” kudo në rajon, transmeton Telegrafi.
IRGC-ja shtoi se kompanitë që i akuzon për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara do të përballen me sanksione dhe se të gjitha anijet e tyre do të shënjestrohen.
Garda Revolucionare fajësoi ushtrinë amerikane për incidentet në ngushticë, duke e akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në vendimet e kompanive të transportit detar dhe të sigurimeve, si dhe për pagesën e “ryshfeteve të mëdha” për të nxitur zbatimin e kërkesave të tij.
“Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për këto incidente dhe për përshkallëzimin e tensioneve në transportin detar në rajon i takon ushtrisë agresore amerikane”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, udhëheqësi i faljes së së premtes në Teheran, Hoxhatoleslam Mohammad Javad Ali-Akbari, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa të plotësohen të gjitha kushtet e Iranit.
Ai tha se Teherani ka paraqitur “shtatë kushte” dhe se do të vendosë për hapat e ardhshëm pasi ato të përmbushen. Sipas tij, gatishmëria ushtarake e Iranit është përmirësuar, pikat e dobëta janë adresuar dhe strategjia e vendit ka kaluar nga mbrojtja në ofensivë.
Irani pretendon se e kontrollon Ngushticën e Hormuzit dhe se nuk do të lejojë praninë e forcave ushtarake të vendeve që i konsideron armiqësore. Teherani ka paralajmëruar gjithashtu se do të përgjigjet “vendosmërisht” ndaj çdo përpjekjeje për të penguar kontrollin e tij mbi ngushticën.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi të premten se kishte pastruar rrugët kryesore të lundrimit në ngushticë, duke hequr minat detare nga korridoret kryesore të kalimit. Sipas saj, këto rrugë janë të hapura për të gjitha anijet që nuk shkelin sanksionet detare amerikane ndaj Iranit.
CENTCOM tha se si rezultat, mijëra anije tregtare kishin kaluar në mënyrë të sigurt.
Pretendimet e kundërta u bënë në një kohë kur Qendra Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO) raportoi se një anije transportuese e gazit të lëngshëm të naftës (LPG) ishte goditur nga predha të paidentifikuara të premten në mëngjes, rreth 13 milje detare në perëndim të Al-Jazira-s, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh, i cili më vonë u vu nën kontroll.
Një ditë më parë, UKMTO kishte raportuar se një cisternë nafte në veri të ujërave të Katarit ishte goditur nga disa predha, duke shkaktuar viktima. Sipas raportimeve, ky ishte sulmi i parë i këtij lloji pas gjashtë muajsh.
Në një incident tjetër të enjten, kompania e inteligjencës detare Vanguard raportoi se një cisternë kishte marrë flakë rreth 40 kilometra larg Fujairahut, në Gjirin e Omanit. Kompania identifikoi si të mundshme anijen Dalkut, e cila lundron nën flamurin e Ishujve Marshall.
Sipas raportimeve mediatike, nga 28 shtatori deri më 5 tetor u regjistruan të paktën 12 sulme, tentativa sulmesh ose incidente ngacmimi ndaj cisternave të naftës dhe anijeve transportuese të gazit në ngushticë. Kjo ishte shifra më e lartë javore që nga fillimi i luftës, më 28 shkurt.
Në kushte normale, përmes Ngushticës së Hormuzit kalon rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit. Megjithatë, kalimi është praktikisht i mbyllur që nga shpërthimi i luftës, pas sulmeve iraniane me raketa dhe dronë ndaj anijeve tregtare dhe bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Të dhënat më të fundit tregojnë se eksportet e naftës nga vendet e tjera të rajonit, duke përjashtuar Iranin, janë rikthyer ditët e fundit në nivelet e para luftës. /Telegrafi/






