Qeveria e Kosovës: Prania e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmon se Serbia qëndroi pas sulmit në Banjskë

Nacionale

Qeveria e Kosovës ka thënë se prania e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të listës së udhëhequr nga ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “edhe një dëshmi tjetër e qartë” se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”. Kështu ka deklaruar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa […]

Madhësia e shkronjave

Qeveria e Kosovës ka thënë se prania e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të listës së udhëhequr nga ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “edhe një dëshmi tjetër e qartë” se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.

Kështu ka deklaruar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të vendit, në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra një polic. Radoiçiq e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi.

Radoiçiq, ndaj të cilit Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime gjatë viteve të fundit dhe i cili është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, u pa më 9 tetor në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, sipas pamjeve të publikuara nga televizioni në Beograd, N1.

Në pamjet e xhiruara dhe të publikuara nga televizioni N1 në Serbi, Radoiçiq shihet pranë djalit të Vuçiqit, Danilos, para sallës ku u mbajt tubimi zgjedhor në Kragujevc.

Në të njëjtin tubim ishte i pranishëm edhe djali i Vuçiqit, Danillo.

Sipas Qeverisë së Kosovës, pamjet ku Radoiçiq shihet pranë djalit të Vuçiqit, “do të duhej të ishin alarm për BE-në dhe vendet e tjera perëndimore”.

“Milan Radoiçiq jo që nuk dorëzohet tek autoritetet tona nga shteti i Serbisë për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë sonë, lëre që nuk ndiqet as nga shteti atje, por madje e shoqëron dhe e siguron djalin e presidentit atje”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Partisë Përparimtare Serbe për koment lidhur me praninë e Radoiçiqit në tubimin në Kragujevc, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Cili është roli i Radoiçiqit në SNS?

Ekspertja e pavarur e çështjeve të sigurisë, Maja Bjellosh, vlerëson se prania e Radoiçiqit në tubimin zgjedhor të SNS-së, përkrah Danillo Vuçiqit, kishte për qëllim “frikësimin e kundërshtarëve politikë”.

“Para së gjithash, synimi ishte të frikësoheshin mbështetësit e Listës Studentore. Njëkohësisht, kjo dëshmon lidhjet politike dhe mbrojtjen që zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe familja Vuçiq i ofrojnë një personi të dyshuar për përfshirje në organizimin e grupit që kreu vrasjen e [politikanit serb] Oliver Ivanoviq dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë”, thotë Bjellosh për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, Lista Studentore “Studentët fitojnë” konsiderohet rivalja kryesore e Partisë Përparimtare Serbe.

Kjo listë ka dalë nga lëvizja studentore kundër Qeverisë, e cila prej pothuajse dy vjetësh organizon protesta në mbarë Serbinë, duke i akuzuar autoritetet për “korrupsion dhe rrënim të institucioneve”.

Kjo nuk është hera e parë që persona të përfshirë në aktakuzat e institucioneve të Kosovës shfaqen në afërsi të Aleksandar Vuçiqit, në mbështetje të tij.

Një hulumtim i mëparshëm i Radios Evropa e Lirë kishte zbuluar se në mesin e një grupi personash që qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë, së bashku me pjesëtarë të Brigadës Policore, ishte edhe Vladimir Vuçetiq.

Ai është një nga 45 personat që Prokuroria e Kosovës i akuzon për sulmin në Banjskë.

Radoiçiq dhe sulmi në Banjskë

Milan Radoiçiq e ka pranuar se ishte në krye të grupit të armatosur serb që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Gjatë sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e mëvonshëm të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.Pas sulmit, Radoiçiq dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ishte themeluar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.

Nga 45 personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, tre janë dënuar nga drejtësia e Kosovës. Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati. Besohet se të gjithë ndodhen të lirë në Serbi.

Cili është statusi i Radoiçiqit në Serbi?

Në Serbi ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë lidhur me sulmin në Banjskë, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, si dhe premtimeve të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq se përgjegjësit do të ndiqeshin penalisht.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të mësuar se në çfarë faze ndodhet hetimi për rastin e Banjskës, nëse hetimet ndaj Radoiçiqit vazhdojnë dhe nëse mbetet në fuqi masa që e detyron atë të paraqitet në polici dy herë në muaj.

Përgjigjja ende nuk ka mbërritur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga sulmi në Banjskë ka refuzuar dialogun në nivel të lartë politik me Serbinë, derisa Radoiçiq të ndiqet penalisht dhe t’i dorëzohet drejtësisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Bashkimit Evropian për koment lidhur me praninë e Radoiçiqit në tubimin e organizuar nga SNS-ja, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, BE-ja kishte bërë thirrje që përgjegjësit të përballeshin me pasojat ligjore, duke shprehur keqardhje që Serbia nuk kishte ndërmarrë ende hapat e nevojshëm për t’i arrestuar dhe ndjekur penalisht personat që ndodhen në territorin e saj.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian kishte konfirmuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e kishte ngritur këtë çështje gjatë takimit me Aleksandar Vuçiqin, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Çfarë ka thënë Vuçiq për Radoiçiqin?

Në fund të qershorit të këtij viti, Aleksandar Vuçiq, atëkohë president i Serbisë, kishte deklaruar se Milan Radoiçiq nuk është kriminel dhe se fletarrestimi ndaj tij nuk ishte lëshuar për shkak të veprimtarive kriminale, por për shkak të Kosovës.

Në atë periudhë, në publik kishin qarkulluar informacione se Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, i cili gjithashtu është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, i ruante Xhandarmëria serbe.

Autoritetet serbe i kishin mohuar këto pretendime.

Vuçiq e ka përshkruar më herët Radoiçiqin si “luftëtar për liri”, duke thënë se ai “nuk është engjëll”, por se është i gatshëm “të luftojë për popullin serb në Kosovë”.

Përveç sulmit në Banjskë, Radoiçiq është lidhur nga autoritetet e Kosovës edhe me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ndaj tij janë lëshuar gjithsej pesë fletarrestime në Kosovë, ndër të tjera për vendosjen e barrikadave në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në vitin 2022, si dhe për frikësimin e dëshmitarëve në rastin “Brezovica”, që lidhet me korrupsionin dhe ndërtimet e paligjshme.

Në prill të vitit 2025, Kosova lëshoi një tjetër fletarrestim ndaj Radoiçiqit, nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës.

Më 6 gusht 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999./Radio Evropa e Lirë