Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një komunikate për media, ka theksuar se situata rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës kërkon një qartësi përfundimtare kushtetuese, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve dhe bllokim të procesit.
PDK ka rikujtuar se, sipas saj, Kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, ndërsa ka theksuar se edhe afati i dytë, 6 shtatori, nuk është respektuar.
Sipas PDK-së, partia kishte pranuar të merrte pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me qëllim që procesi i konstituimit të përfundonte, por pretendon se të dyja seancat u penguan për shkak të mospajtimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në komunikatë.
PDK ka deklaruar se nuk do të vazhdojë të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, thuhet në njoftim.
Partia ka bërë të ditur se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që, sipas saj, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi.
“Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, përfundon komunikata e PDK-së. /Telegrafi/





