Ish-kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, ka reaguar sërish pasi emri i tij është përmendur sot nga kryeministri Albin Kurti në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sejdiu ka sqaruar se më 14 shtator ka njoftuar tërheqjen e tij nga procesi i zgjedhjes së presidentit, për shkak të pamundësisë për të realizuar marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy subjektet që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.
Sipas tij, tërheqja erdhi edhe për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe gjashtë deputetëve të LDK-së.
“E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se motivi i vetëm për pranimin e kandidaturës së tij kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.
“Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit”, ka thënë Sejdiu, duke falënderuar liderët politikë që, sipas tij, vazhdojnë ta konsiderojnë kandidat të denjë për këtë pozitë.
Sejdiu ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, pasi kjo parti fillimisht ia kishte ofruar kandidaturën për president në fillim të shtatorit.
Ai tha se krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti i ka njoftuar se nuk e konsideron veten pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike dhe mbështetjes së nevojshme në Kuvend.
“Kryeministrin Kurti dhe kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin me mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për politikanë nga partitë e tjera, kolegë, miq dhe personalitete nga jeta akademike që i kanë dhënë mbështetje.
Në fund, Sejdiu ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike në vend dhe gjendjen e qytetarëve.
“Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka shkruar Sejdiu./Telegrafi.






