Hamza: Nëse shkojmë në zgjedhje, ligji për Specialen nis nga zero

Nacionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime mbetet i pandryshuar. Hamza ka paralajmëruar se nëse ligji nuk përfundon në dy lexime dhe vendi shkon në zgjedhje, procedura për miratimin e tij duhet të nisë nga […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime mbetet i pandryshuar.

Hamza ka paralajmëruar se nëse ligji nuk përfundon në dy lexime dhe vendi shkon në zgjedhje, procedura për miratimin e tij duhet të nisë nga fillimi.

“Ne jemi takuar me të gjithë, por nuk mund të bëjmë seri me shumë episode pa pasur asnjë rezultat”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka theksuar se PDK-ja e ka ngritur këtë çështje në kuadër të përgjegjësisë politike dhe se miratimi i ligjit nuk është i lidhur me ndonjë pozitë politike apo institucionale.

“Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet nuk prodhon efekt juridik. Po që nëse nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet nga fillimi”, ka thënë Hamza.

Duke folur për vonesat në miratimin e ligjit, Hamza ka pyetur pse ai nuk është miratuar të dielën.

“Pse nuk e aprovuam të dielën. UÇK-ja na takon të gjithëve. Shteti na takon të gjithëve, veteranët janë të gjithëve, viktimat janë të gjithëve”, ka deklaruar ai.

Hamza ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ajo duhet të trajtohet ndaras nga çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndërkohë, ai ka sqaruar edhe qëndrimin e PDK-së për marrëveshjen me ish-gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

“Marrëveshja me Sejdiun nuk është me PDK-në. Ajo është marrëveshje me LDK-në. Nuk kam ndonjë vërejtje personale a politike me zotin Sejdiu, por nuk është marrëveshje me ne”, ka thënë Hamza.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit, duke theksuar se Kosova prej 7 gushtit është përballur me vonesa në proceset institucionale.

Hamza ka folur edhe për deklaratën politike për luftën e UÇK-së, e cila është mbështetur nga deputetë të Kuvendit, duke theksuar se mbrojtja e luftës çlirimtare nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

“Lufta e popullit të Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në”, ka deklaruar ai.

Sipas Hamzës, çështja e UÇK-së, veteranëve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës u takon të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë së Kosovës./Telegrafi/