Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet rreth ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Haradinaj tha se Kurti, sipas tij, e ka lënë në gjysmë procesin e miratimit të ligjit në një moment kritik, duke e akuzuar atë se me këtë veprim i ka shkaktuar dëm kauzës së UÇK-së.

“Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë në gjysmë ligjin për Dhomat e Specializuara në momentin më kritik”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj tha se zhvillimet e fundit politike po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve, duke e cilësuar situatën si moment kritik.
“Kurti e çoi vendin në zgjedhje në momentin më kritik”, tha ai.
Kreu i AAK-së bëri gjithashtu thirrje për bashkim dhe për përmbushjen e përgjegjësive që, sipas tij, deputetët kanë ndaj qytetarëve dhe historisë së vendit.
“Është momenti, është koha që të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Për këtë na ka besuar qytetari i Kosovës”, u shpreh Haradinaj.
AAK-ja ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen në lexim të dytë. Haradinaj u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në votim dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre institucionale./Telegrafi.





