Arrestohet personi që kërcënoi në Kuvend Ramush Haradinajn

Nacionale

Personi i dyshuar për kërcënimin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit, Ramush Haradinaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. […]

Madhësia e shkronjave

Personi i dyshuar për kërcënimin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit, Ramush Haradinaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Sipas saj, ndaj të dyshuarit do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

Arrestimi ka ndodhur vetëm disa orë pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ndërmarrë veprime urgjente lidhur me kërcënimin ndaj Haradinajt.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se, menjëherë pas pranimit të informatave për kërcënimin, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm kishte autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme, për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme.

“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Rasti u bë publik pasi Haradinaj njoftoi se kishte marrë një mesazh kërcënues, në të cilin përmendej edhe pushkatimi i tij.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi.