“Nuk e tregoj emrin”, Prapashtica flet për infiltrimet e UDB-së: Ishte bashkëpunëtor i yni

Nacionale

Abdullah Prapashtica ka deklaruar se një person që fillimisht kishte qenë bashkëpunëtor i grupit të tij, më vonë ishte rekrutuar nga UDB-ja dhe kishte dhënë informacione për veprimtarinë e tyre. Në vazhdimin e intervistës për emisionin “Dosjet”, Prapashtica tha se në Gjermani kishin arritur të identifikonin një person që, sipas tij, kishte bashkëpunuar me ta […]

Madhësia e shkronjave

Abdullah Prapashtica ka deklaruar se një person që fillimisht kishte qenë bashkëpunëtor i grupit të tij, më vonë ishte rekrutuar nga UDB-ja dhe kishte dhënë informacione për veprimtarinë e tyre.

Në vazhdimin e intervistës për emisionin “Dosjet”, Prapashtica tha se në Gjermani kishin arritur të identifikonin një person që, sipas tij, kishte bashkëpunuar me ta përpara se të rekrutohej nga shërbimi sekret jugosllav.

“Ne ramë në gjurmë të një provokatori i cili nuk ishte provokator fillimisht. Ai ishte një bashkëpunëtor i jonë, bashkëveprimtar i joni, derisa i ka dalë afati pasaportës. Momentin kur është dashtë me shku me vazhdu pasaportën, ata e kanë sabotuar dhe e kanë rekrutuar me punu për ta”, deklaroi Prapashtica.

I pyetur për emrin e personit, ai nuk pranoi ta bëjë publik, duke thënë se këtë pjesë do ta tregojë në kujtimet e tij.

“Një pjesë të gjërave t’i mbaj për memaret e mia, sepse nëse unë i them të gjitha këtu nuk kam pse me shkru memare”, tha Prapashtica.

Ai pretendoi se ky person ishte zbuluar përmes një veprimi që kishte bërë pas një atentati ndaj tij në Gjermani.

Prapashtica: Atentati ndodhi më 21 tetor 1987

Prapashtica tha se ndaj tij ishte kryer një atentat më 21 tetor 1987, në Gjermani, në vendin ku banonte, dhe se si pasojë kishte qëndruar rreth dy javë në spital.

Sipas tij, kishte pësuar lëndime të rënda, por kishte shpëtuar pa pasoja të rënda shëndetësore.

“Kam pasë lëndime të rënda nga të cilat kam shpëtuar pa pasoja të rënda”, deklaroi ai.

Prapashtica tha se gjatë qëndrimit në spital, bashkëpunëtorët e tij qëndronin vazhdimisht pranë tij, ndërsa policia gjermane, sipas tij, kishte toleruar praninë e tyre brenda dhe jashtë spitalit.

Ai tregoi se personi që dyshonte se ishte rekrutuar nga UDB-ja e kishte vizituar vetëm një herë në spital.

Sipas Prapashticës, pyetja që ai i kishte bërë e kishte bindur se personi mund të kishte informacione për atentatin.

“Ai më ka pyet a kanë gjetë policia në vendin e ngjarjes ndonjë gjë? Dhe kjo për mua ka qenë e qartë se ata që kanë kryer atentatin, kanë humbur diçka aty që për ta ka qenë me rëndësi a u gjetë nga policia ajo”, tha Prapashtica.

Ai tha se personi më pas nuk ishte paraqitur më.

“Kurrë më nuk është paraqitur”, deklaroi ai.

Prapashtica: Personi është ende gjallë

I pyetur nëse personi për të cilin foli është ende gjallë, Prapashtica tha se po.

Sipas tij, ky person më vonë ishte sulmuar nga persona që ai i përshkroi si çetnikë serbë.

Prapashtica tha se sulmi kishte ndodhur për shkak të një konflikti dhe se autorët, sipas tij, nuk e kishin ditur saktësisht se kush ishte ai.

“Ai është gjallë. Ai ka përjetuar një sulm prej çetnikëve serbë”, tha Prapashtica.