Qeveria e Kroacisë ka prezantuar një model të ri për rritjen e pensioneve të veteranëve, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, nëse ndryshimet ligjore miratohen nga Parlamenti. Masa do të përfshijë edhe veteranët që pas luftës janë rikthyer në punë.
Aktualisht, pensionet e këtyre veteranëve llogariten sipas sistemit të përgjithshëm të pensioneve, bazuar në vitet e punës dhe pagat, ndërsa më pas u shtohet një përfitim shtesë që varet nga koha e kaluar në luftë. Pikërisht për këtë kategori, partia opozitare Mozhemo kishte propozuar një rritje të pensioneve deri në 20 për qind, raporton index.hr.
Megjithatë, Qeveria ka zgjedhur një model tjetër. Sipas propozimit, pensioni do të rritet me 3 euro në muaj për çdo muaj të kaluar në sektorin luftarak dhe me 50 centë për çdo muaj të kaluar në sektorin jo-luftarak.
Sipas Ministrisë, 68.269 veteranë marrin pension sipas sistemit të përgjithshëm me të drejta shtesë si veteranë, ndërsa 59.068 prej tyre marrin pensionin minimal të veteranit. Pensioni mesatar i kësaj kategorie është rreth 668 euro.
Në një shembull konkret, një veteran që sot merr 668 euro do të përfitonte rreth 134 euro shtesë nëse do të zbatohej propozimi i Možemo. Sipas modelit të Qeverisë, përfitimi do të varet nga kohëzgjatja e shërbimit në sektorin luftarak dhe në këtë rast do ta tejkalonte rritjen prej 20 për qind pas rreth tre vjetësh e nëntë muajsh shërbim luftarak.
Modeli qeveritar parashikon që një vit në sektorin luftarak të sjellë 36 euro shtesë në muaj, tre vjet 108 euro dhe pesë vjet 180 euro. Në të kundërt, pesë vjet në sektorin jo-luftarak do të sillnin vetëm 30 euro shtesë mujore.
Shtesa e re do të përfshijë 104.560 veteranë, ndërsa të gjitha ndryshimet e propozuara do të prekin gjithsej 201.304 veteranë dhe anëtarë të familjeve të tyre. Përveç kësaj, Qeveria propozon edhe heqjen e uljes prej 8 deri në 20 për qind të pensioneve për rreth 34.000 ish-ushtarakë, policë dhe përfitues të tjerë të pensioneve të veçanta, me një rritje mesatare prej rreth 70 euro në muaj.
Ndryshimet ndodhen në fazën e konsultimit publik dhe, nëse miratohen nga Parlamenti, do të zbatohen duke filluar nga 1 janari 2027. /Telegrafi/






