Shkencëtarët kanë konfirmuar zbulimin e një specieje të re majmuni në pyjet e Republikës Demokratike të Kongos, pas gati dy dekadash kërkimesh.
Primati i pazakontë, me fytyrë të zezë dhe buzë karakteristike në ngjyrë portokalli-rozë, ishte vërejtur për herë të parë në vitin 2008, por vetëm tani është identifikuar zyrtarisht si një specie e panjohur më parë.
Majmuni jeton në zonën e Parkut Kombëtar Lomami, në pjesën qendrore-lindore të Kongos, dhe njihet nga banorët vendas me emrin Likweli.

Studiuesit e kanë dokumentuar përmes fotografive, regjistrimeve të zërit dhe analizave gjenetike, të cilat konfirmuan se bëhet fjalë për një specie të re.
Takimi i parë me këtë kafshë u bë në vitin 2008, kur studiuesit arritën të realizonin vetëm një fotografi të paqartë.
Pas një tjetër vëzhgimi rreth dhjetë vjet më vonë, një ekip ndërkombëtar nisi një studim të gjerë për ta përcaktuar origjinën dhe veçoritë e këtij primati.
Sipas shkencëtarëve, kjo është vetëm specia e pestë e re e majmunit afrikan e zbuluar gjatë 75 viteve të fundit.
Zbulimi tregon edhe një herë pasurinë e madhe biologjike të pyjeve tropikale të Kongos, ku shumë specie ende mund të jenë të pazbuluara.
Majmuni i ri ka qime të zeza, një pamje të veçantë të fytyrës dhe një thirrje karakteristike që e dallon nga speciet e tjera.
Studiuesit theksojnë se mbrojtja e habitatit të tij është thelbësore, pasi pyjet e Kongos përballen me kërcënime nga shpyllëzimi dhe aktivitetet njerëzore. /Telegrafi/





