U publikua raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare “Gjykimi në mungesë për krime lufte: midis statistikave dhe realitetit të drejtësisë”, mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Nga të gjithë folësit u theksua mungesa e bashkëpunimit me Serbinë për t’i ekstraduar në Kosovë të dyshuarit serbë për krime lufte.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Júrg Sprecher, tha se edhe pse shtohet numri i aktakuzave, kjo nuk do të thotë që po vihet drejtësia në vend.

“Rritja e aktkuzave pasqyron rezultate reale, por ngre një pyetje thelbësore sipas mendimit tim. Edhe pse shtimi i aktakuzave mund të sugjerojë aktivitet institucional dhe përparim, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se po vihet drejtësia në vend”, tha Sprecher.
Ndërsa, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare vuri në dukje të dhënat e këtij raporti.
“Raporti tregon se gjatë vitit 2025 janë zhvilluar procedura penale në 50 lëndë kundër 154 pjesëtarëve të forcave serbe, të akuzuar për krimet e luftës, përfshirë këtu edhe 24 aktakuza në mungesë kundër 120 të akuzuarve në mungesë. Gjatë vitit 2025, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë ngritur 15 aktakuza të reja, 10 prej tyre janë në mungesë”, tha Alija.
Ndërsa, Valon Kurtaj nga Departamenti special që merret me gjykimin e krimeve të luftës në Gjykatën e Apelit vlerësoi se vitet e fundit dhe sistemi i drejtësisë ka pasur zhvillim historik.
“Pas luftës ne nuk kishim kompetenca t’i trajtonim çështjen e gjykimit të krimeve të Serbisë. Kjo ishte kompetencë ekskluzive e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. U ngritën pak e hiç akuza dhe raste, me rastin e transferimit e kompentencave tek institucionet vendore, u transferuan edhe shumë raste që ishin nën hetime”, tha Kurtaj.
Kurtaj shtoi se duhet të ketë një marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë për ekstradimin e të akuzuarve në Kosovë. Ai u shpreh se kanë nevojë edhe për mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në këto situata.
Ankesat e njëjta paraqiti edhe kolegu i tij, Leon Perlaskaj, i cili tha se kanë pasur gjithherë një bashkëpunim të mirë me vendet e rajonit për situata e njëjta, por këtu përjashtohet shteti serb.
Gjykimi në mungesë i të dyshuarve për krime lufte është ngritur si shqetësim edhe herave të tjerave dhe njëkohësisht është kërkuar bashkëpunimi me Serbinë.





