Na ndan vetëm një muaj nga nisja e Kampionatit Botëror 2026, i cili këtë verë do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duke shënuar një edicion historik me formatin e ri.
Në këtë Botëror do të marrin pjesë 48 përfaqësuese, të cilat do të luftojnë për trofeun e famshëm të artë, ndërsa pritet një verë e mbushur me spektakël, emocione dhe dramë në fushë.

Në prag të këtij eventi madhor, vëmendje të veçantë ka marrë edhe aspekti muzikor i kampionatit. Këngëtarja e njohur kolumbiane Shakira ka publikuar këngën “Dai Dai”, në bashkëpunim me Burna Boy, e cila do të jetë kënga zyrtare e Botërorit 2026.
Videoklipi i projektit përfshin edhe një listë të gjatë yjesh të futbollit botëror, si: Kylian Mbappé, Lionel Messi, Luis Díaz, Vinícius Jr, Rodri, Takefusa Kubo, Santiago Giménez, Alphonso Davies, Jamal Musiala, Christian Pulisic, Harry Kane dhe Erling Haaland, duke i dhënë këngës edhe më shumë jehonë para startit të turneut.
Botërori 2026 nis zyrtarisht më 11 qershor, ndërsa finalja do të luhet më 19 korrik, duke mbyllur një nga edicionet më të mëdha dhe më të pritura në historinë e Kupës së Botës. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be





